Sahar Gul, nusja e re afgane, torturat ndaj së cilës nga ana e familjes së bashkëshortit të saj joshën vëmendjen e të gjitha medieve botërore, gjeti pak prehje shpirtërore, pasi që autoritetet dënuan me burgim shumëvjeçar torturuesit e saj.
Gjykata në Kabul në fillim të majit dënoi më nga 10 vjet burg vjehrrin, vjehrrën dhe kunatën e Gulit, nën akuzat se e kanë mbajtur të burgosur dhe e kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore nusen e tyre 15 vjeçare, transmeton Express rrëfimin e publikuar nga RFE.
Kur policia në provincën Baghlan ndoqi një informatë dhe shpëtoi Gulin në dhjetor të vitit të kaluar, atë e zbuluan të shtrirë pa vetëdije në dyshemenë e një bodrumi të errët. Gishtërinjtë e saj ishin të thyer, disa nga thonjtë e saj ishin nxjerrë, tufa të flokëve i mungonin dhe i gjithë trupi i saj ishte i mbuluar me plagë.
Ajo ishte aq rëndë e lënduar dhe e traumatizuar, sa që nuk ishte në gjendje të flet për javë të tëra.
“E kam kërkuar dënimin e tyre”, tha Gul, pasi që dëgjoi vendimin e gjykatës. “Dëshiroj që t’iu shkulen thonjtë dhe që t’iu shkaktohen djegie, siç mi shkaktuan mua. Dëshiroj të shkurorëzohem”.
Mjekët ende po përcjellin gjendjen e saj të brishtë, pasi që kjo adoleshente ende po përballet me traumë akute dhe depresion. Por pasi që përjetoi muaj të tërë të ferrit, pasi ju shit për martesë një mashkulli shumë më të moshuar se ajo, pjesa më e madhe e plagëve shpirtërore të Gulit janë shëruar dhe tani ajo mezi pret të realizojë synimet, të cilat ja ka vendosur vetës.
Duke folur nga shtëpia e saj e re në Kabul, nga strehimorja e udhëhequr nga Femrat për femrat Afgane, një organizatë joqeveritare, e cila mbështet femrat e abuzuara, ajo është e mbushur përplot me optimizëm.
Ajo është inspiruar nga liria e saj e re dhe ka rifilluar shkollimin, të cilin u desh ta braktisë në klasën e katërt, pasi që u detyrua të martohet.
“Mësoj dhe lutem. Kur kam nevojë, dal jashtë dhe rri me shoqet e mia. Kur të jem e lodhur, shkoj për të fjetur”, rrëfen Gul.
Suriya Sobrang, kryesuese e degës për femra të Komisionit të pavarur afgan për të drejta të njeriut, theksoi se shpreson se rasti i Gulit do të krijoi një precedent për krimet e dhunshme kundër femrave.
Sobrang pranon se shumë femra afgane, të cilat kanë përjetuar dhunë, nuk marrin drejtësi. Ajo thotë se pjesa më e madhe e këtyre rasteve kanë për epilog shfajësimin e fajtoreve, dënimin e tyre me dënime të vogla dhe me femrat viktima, të cilat akuzohen për krime të moralit.
“Sa i përket rastit të Sahar Gulit, më duhet të them se në shekullin e 21-të ky është një krim kundër njerëzimit. Të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë rast janë kriminelë. Afganët duhet ti shohin pasojat dhe të mësojnë leksionin. Shpresoj se kjo do të parandaloi vazhdimin e krimeve të këtilla të dhunshme në Afganistan”, theksoi Sobrang.
Shpëtimtarët e Gulit nuk kanë besuar se ajo do të mbijetojë, por megjithatë, mrekullia ndodhi.
Pasi që u trajtua në spitalin lokal në Baghlan, Gul u dërgua në Kabul, ku pas disa muajve të procedurave mjekësore dhe rehabilitimit, ajo tani është në gjendje të lëvizë, të ha dhe të flet.
Gul ofron një rrëfim rrëqethës për gjashtë muajt e kaluar në shtëpinë e bashkëshortit. Ajo shpjegon se si vëllai i saj e shiti atë te një mashkulli 35 vjeçar, i cili ishte i martuar dhe kishte dhjetë fëmijë.
Me babanë që i kishte vdekur dhe nënën që i ishte martuar sërish, Gul tha se nuk kishte fuqi të ndalte vëllanë e saj, i cili mori disa qindra dollarë nga shitja e saj.
Ajo thotë se bashkëshorti dhe familja e tij e detyruan atë që të bëhet shërbëtore dhe prostitutë. Kur kundërshtonte, ajo torturohej dhe rrehej me hekur të nxehtë.
“Ata dëshironin që unë të bëja gjëra të këqija me meshkuj. Më thoshin se nëse nuk e bëja, do të më vrisnin. Ata sillnin meshkuj në shtëpinë e tyre dhe më thoshin të flija me ta. Ju thosha se nuk dëshiroj ta bëjë, ngase jam ende fëmijë”.
Gul tani ka plane të mëdha. Ajo ëndërron të kryej shkollën dhe madje të përfshihet edhe në politikë.
Ajo thotë se është e vendosur që të ndalë kulturën e dhunës kundër femrave në Afganistan, vend ky në të cilin martesat e dhunshme janë normë dhe ku niveli i vetëvrasjeve në mesin e femrave është një prej më të lartëve në botë.
“Në të ardhmen, dëshiroj të bëhem mjeke dhe udhëheqëse. Tani jam duke e mësuar alfabetin. Kam mësuar që të shkruaj gjërat elementare”, nënvizon Gul. /Telegrafi/ |
Nessun commento:
Posta un commento